
Gjykata Kushtetuese, ka njoftuar se më 23 qershor 2021, do të marrë në shqyrtim kërkesën në lidhje me shpalljen të pavlefshme zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike në Shqipëri, nuk morën pjesë duke i bojkotuar ato.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, me kryetaren Voltana Ademi, kanë depozituar pranë Gjykatës Kushteuese kërkesën për të shpallur antikushtetuese këto zgjedhje dhe ripërsëritjen e tyre.
“Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve”, shkruhej në padinë e Shoqatës.
Po ashtu Gjykata do të marrë në shqyrtim dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.



