Reforma territoriale pas një dekade nuk ka sjellë rezultatet që duhej. Është ky qëndrimi i ekspertëve, ndërsa realiteti në terren edhe më i zymtë. Me dhjetëra fshatra e njësi banimi të zbrazura dhe një popullsi që tkurret.
Pas më shumë se një dekade, mazhoranca aktuale pra qeveria duket se ka reflektuar dhe nuk është e kënaqur me hartën e re territoriale që propozoi dhe vetëmiratoi në vitin 2014.
Edhe pse pati një debat publik dhe votim thuajse të njëanshëm, mazhoranca ka rihapur debatin për rikonfigurimin e territorit të Shqipërisë.
Shqipëria ka kaluar një transformim të rëndësishëm në ndarjen e njësive administrative pas reformës së 2015, që synoi të rrisë efektivitetin e qeverisjes vendore dhe të konsolidojë resurset administrative.
Sot, vendi ka 12 qarqe si niveli më i lartë i menaxhimit të territorit, 61 bashki që përfaqësojnë njësitë kryesore të qeverisjes vendore, dhe 373 njësi administrative që përfshijnë fshatra, ish-komunat e mëparshme. Brenda këtyre njësive ndodhen gjithsej 2,972 fshatra, njësitë më të vogla administrative.
Përpara këtij konfigurimi, pra përpara qershor 2015 Shqipëria ishte e ndarë në 12 qarqe, 65 bashki kryesisht urbane dhe 308 komuna rurale, që gjithsej arrinin 373 njësi vendore.
E ndërsa politika vijon përplasjet se përse u vendos kështu në 2015, realiteti në terren është se popullsia është reduktuar, shumë vendbanime janë zbrazur dhe shumë shërbime janë larg qytetarëve duke i detyruar komunitetet të përballen me sfida në përditshmëri.



