
Partia Socialdemokrate (PSD), ka zhvilluar sot një aksion simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës, lidhur me zhvillimet në veriun e Kosovës.
Aktivistë të saj kanë ngjyrosur me të zezë dritaret e ndërtesës së Qeverisë.
Sipas tyre ngjyra e zezë tregon mbylljen e kësaj Qeverie karshi qytetarëve.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se kryeministri Kurti ka vendosur në terr informativ gjithë qytetarët për zhvillimet në veri dhe propozimin franko-gjerman, e cila së fundmi ka dinamizuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo që mund të thuhet me gojën plotë është që Kosova nuk ka pasur Qeveri më të mbyllur për opinionin publik dhe mediat, dhe dialog më të mbyllur nuk ka pasur sesa që është duke e zhvilluar kjo Qeveri.
Prandaj në mënyrë simbolike i kemi lyer me të zezë ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, për të treguar se qytetarët dhe mediat janë në një terr informativ.



