Nga mbledhja me krerët e degëve të LSI-së në rrethe, kryterja e kësaj force politike Monika Kryemadhi e ka cilësuar kryeministrin e vendit si një djall që po çon për “dreq” Shqipërinë, duke parë si ilaç drogën dhe si sëmundje varfërinë e qytetarëve.
Monika Kryemadhi i ka bërë një thirrje të hapur qytetarëve të vendit dhe intelektualëve, që të angazhohen në politikë, për të mos lënë Shqipërinë në duart e djallit. Sipas kryetares së LSI-së, qytetarët shqiptarë janë shtypur nga opresioni i një kryeministri i cili i zgjat dorën vetëm oligarkisë që ka përreth tij.
Kryemadhi ka bërë thirrje përballë krerëve të degëve të LSI-së se kjo forcë politike duhet të mobilizojë qytetarët që zëri i tyre të dëgjohet, një tjetër thirrje kjo që nënkupton se LSI së shpejti do të përgatitet për protesta.
“Kryeministri kujdeset vetëm për një grup oligarkësh të cilët janë pranë qeverisë. Kësaj qeverie nuk ia ndjen që me mijëra fëmijë shqiptarë i ze gjumi të uritur, sepse varfërinë e quan sëmundje dhe drogën ilaçin e saj. Të ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre dhe të marrin në dorë frenat e vendit. Duhet t’i mobilizojmë shqiptarët, që zëri i tyre të dëgjohet, të fuqizojmë energjinë e tyre. LRI do ketë rolin kryesor për të zgjuar shpresën e qytetarëve.
LSI do jetë krahëhapur për mendimin intelektual, botën akademike, trurin e vendit të cilët duhet të angazhohen në politikën e vendit, sepse ndryshe historia do t’i akuzojë për apatizëm. Djalli mbizotëron kur njerëzit e mirë heshtin dhe nuk bëjnë asgjë. Duhet të marrim një vendim përfundimtar për të vepruar, ose t’ia lëmë vendin në dorë këtij djalli,” tha Kryemadhi.



