Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj si dhe minsitren Belinda Ballaku kanë vizituar sot punimet në Ujësjellsin e Bovillës ku së fundmi është kryer ndërhyrja e cila dyfishon prurjet në rrjet. Përfasqësuesit e qeverisë vlerësuan këtë investim për kryeqytetin, ndërsa atribuan edhe meritat për ambasadën italiane si pjesë e bashkëpunimit në këtë projekt.
Konkretisht kryeministri Rama në fjalën e tij bëri edhe një premtim duke deklaruar se deri në vitin 2021, 62 zona urbane të Shqipërisë do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
"Italia është e lidhur edhe me këtë projekte. Në fakt ka qenë falë mbështetjes së Italisë, shumë e shumë vite më parë ku një kompani italiane vuri gurin e parë në këtë projekt dhe zgjati thuajse 30 vite. Gjetën një mesatare 7 orë ujë furnizim në ditë 7 vite më parë në zonat urbane, ne e nisëm përballjen me këtë probleme me të njëjtin shqetësim njësoj si me rrugët, por me rrugët është bërë më shumë propagandë dhe janë bërë më shumë tenderë në të shkuarën, por e njëjta gjë edhe për ujësjellësin. Në 2018 kishim rritur me 4 orë mesatare e furnizimit me ujë, jo shumë por as pakë. Ne sot jemi në kushtet kur po investojmë në 55 zona urbane, përveç 7 zona,që deri në 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me ujë. Sot kemi në Shqipëri 55 kantiere të madha që do të transformojnë jetën e banorëve në lidhje me furnizimin me ujë dhe do të mbyllim në të gjithë zonat përjashtuar 7 zonat, një plagë shumë të madhe. Sot mund t'i themi qytetarëve të Tiranës që me të drejtë kanë akumuluar mërzi dhe inat për shkak të furnizimit me ujë, që faktikisht nga sot në të gjithë ato pikat ku kishte probleme me ujë do të kenë 24 orë. Sot mesatarja e furnizimit më ujë është 16 orë. 250 mijë banorë përfitojnë nga ky investim. Faleminderit të gjithë atyre që na ndihmuan, punuan, nuk ka qenë asnjëherë një ndjenjë e mirë të ndesheshim me njerëzit që nuk kishin furnizim të madh as tek Myslym Shyri apo Muhamed Gjolesha, rrugën që kam lindur e rritur vetë e jo më tek zonat e tjera", tha Rama.
Ndërkohë Veliaj në ceremoninë e inaugurimit të përurimit në impiantin e Bovillës tha se nga nesër 62% e Tiranës do të jetë me ujë të pijshëm, ndërsa do të fillohet me heqjen e depozitave në pallate.
"Zonat që do të kenë ujë 24 orë janë Kinostudio, Rruga e Dibrës, Xhamlliku, Hoxha Tahsim, Brryli, Pazari i Ri, si rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, Bulevardi i Ri, Don Bosko, Lapraka, Mine Peza, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Myslym Shyri, Fusha e Aviacionit, ish-Parku i Autobusëve, NSHR-ku, Dogana, janë me 24 orë ujë në qytetin e Tiranës. Do ta çojmë në 100% filtrimin e ujit në Tiranë. E di që ka shumë veta që thonë se u rrit çmimi, por le ta çmitiozojmë, çmimi tani është 65 lekë për metër kub. Duhet të bëjmë një punë kapilar, nëse nuk bëjmë dyfishimin e ritmit, për të ruajtur dhe rikuperuar humbjet nuk do t'ia dalim. Presim të fitojmë kampionatin tonë të tretë. Është hera e parë që kemi një shërbim 24 orë në 24 për klientin, është linçuar një numër zyrtar që regjistron çdo gjë. Do të ketë probleme me ata që tubat i kanë që në kohën e xhaxhit,"-tha Veliaj.



