
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i ka rekomanduar presidentes së vendit Vjosa Osmani, që të shtyhen zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Në letrën e adresuar nga IKSHPK-ja është thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale paraqet rrezik për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.
“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”.
Rekomandimi i IKSHPK-së është që të ndalohen të gjitha aktivitetet publike që mund të ketë pasoja dhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.
“Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, shkruan në letrën e drejtuar për Osmanin.

Kjo letër, do të jetë temë e diskutimit të ditës së hënë, kur pritet që presidentja Osmani do të mbajë takim me përfaqësues të partive politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Sipas letrës së Osmanit dërguar partive, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.



