Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia të premten është shprehur se hedhja e fajit te qytetarët për rritjen e numrit të të infektuarve është diçka e pacipë.
Përmes një reagimi në Facebook, Spahia tregon se për infektimin e punëtorëve të fasonerive ka vetëm një përgjegjës dhe është vetëm Edi Rama.
“Fajin nuk e kanë fasoneritë, por Edi Rama. Sa e pacipë hedhja e fajit tek qytetarët nga Ogerta Manastirliu për numrin e rritur për të dytën ditë rradhazi të të infektuarve me COVID. E pra sipas vetë të dhënave zyrtare janë punonjës e kontakte të fasonerive. Dhe është krejt e qartë se ka vetëm një përgjegjës për infektimin dhe përhapjen nga fasoneritë! Ai është Edi Rama e jo qytetarët! Për shkak të natyrës së punës në fasoneri, është e pamundur shmangia e kontaktit me të tjerët!”, citohet nga mesazhi i tij.
Ish-deputeti demokrat shkruan se kryeministri nuk i mbylli fasoneritë, që të mos u paguante pagesën minimale punonjësve të tyre. Sipas tij, në vend që t’ua jepte 70 mijë punonjësve kryesisht vajza e gra, i çoi paratë për koncesione e për një grusht oligarkësh pranë tij.
“Rritja e rasteve të të infektuarve nuk ka të bëjë me hapjen e ekonomisë, por me dështimin spektakolar të qeverisë për të testuar qytetarët e ekspozuar ndaj rrezikut”, thekson ai.



