
Ekstradimi i Nezar Seitit dhe këmbëngulja e deputetëve të opozitës për t’i përqendruar diskutimet e tyre në këtë çështje është bërë pengesë për zhvillimin e seancës së sotme. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli para mediave për të kërkuar praninë e kryeministrit Rama në seancë, për t’u përgjigjur në lidhje me akuzat e opozitës. Basha the se ekstradimi i Seitit është skandali më i madh në 27 vitet e fundit në Shqipëri. Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka urdhëruar në shkelje të ligjit ekstradimin e të ashtuquajturit “financieri i grupit të Habilajve” për të mbrojtur ish-ministrin Tahiri dhe veten.
“Skandali më i madh në 27 vite histori është rrëmbimi i Nezar Seitit, njeriu që ka mbajtur shënim sa para i janë dhënë Saimir Tahirit, Edi Ramës e të tjerëve nga trafiku i drogës. Ai ishte bërë gati të bashkëpunonte me drejtësinë, për të demaskuar autorët e mbytjes së Shqipërisë në drogë. Mafia në pushtet e ekstradoi duke shkelur të gjitha ligjet, me qëllim që të mbrojë Saimir Tahirin dhe përmes tij Edi Ramën. Kërkoj praninë e Edi Ramës për ta përballur me këtë skandal, më i madhi në 27 vite. Ky skandal vërteton se kryeministri dhe të gjitha instancat shtetërore janë bërë bashkë në konspiracionin për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç. Ky nuk është më një Parlament, por pengesa kryesore për drejtësi për shqiptarët. Opozita do të jetë në krah të tyre për të marrë në dorë fatin e vendit”, tha ai.



