Analisti Enton Abilekaj në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV deklaroi se kryeministri Rama mund të përballet me vështirësi serioze për ta çuar deri në fund mandatin e katërt, të fituar në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Sipas Abilekajt, situata politike për Ramën është përkeqësuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të hetimeve të nisura nga SPAK dhe një rënieje të dukshme të mbështetjes politike brenda dhe jashtë vendit.
Ai theksoi se skandalet e fundit korruptive kanë ndikuar në dobësimin e pozicionit të kryeministrit, ndërsa klima ndërkombëtare ndaj tij nuk është më ajo e viteve të mëparshme.
Abilekaj nënvizoi se marrëdhëniet me partnerë kyç si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po shfaqin shenja ftohjeje. Ai përmendi edhe skepticizmin gjerman të artikuluar së fundmi, si dhe mungesën e takimeve të rëndësishme me aktorë ndërkombëtarë.
Situata brenda vendit për Ramën nuk është pozitive. Me skandalet e fundit hetimet e SPAK, mbështetja për Ramën ka rënë. E dyta, nuk ka mbështetjen ndërkomëbtare që ka patur. Nëse deri dje kishte mbështetje ndërkombëtare të padiskutueshme, sot nuk e ka.
Në analizën e tij, një tjetër pikë delikate mbetet raporti me Bashkimi Evropian, sidomos nëse do të ketë ndërhyrje në legjislacion apo zhvillime të reja që lidhen me çështje si imuniteti i zyrtarëve të lartë.
Sipas Abilekajt, në rast të përkeqësimit të këtyre raporteve, kritikat nga Brukseli mund të bëhen edhe më të hapura.
Në përfundim, analisti paralajmëroi se kombinimi i pakënaqësive të brendshme dhe lëkundjes së mbështetjes ndërkombëtare e bën të pasigurt përfundimin normal të mandatit të katërt të kryeministrit.



