Kryeministri Edi Rama është thirrur sot në Komisionin Hetimor për Inceneratorët nën cilësinë e dëshmitarit. Rama tha fillimisht se nuk ka ardhur për asnjë aferë, duke i cilësuar si opinione pyetjet e kryetares Jorida Tabaku.
I pyetur për lidhjet miqësore të z. Ahmetaj sipas Tabakut me personat që kanë marrë inceneratorët, Kryeministri Rama ka ironizuar duke përmendur Big Brother dhe duke thënë se kjo është jahstë kompetencave të tij.
Unë e kuptoj që Big Brother në këtë periudhë ka krijuar audiencë të madhe por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë dhe kush zgjohet më kë nuk janë në dispozitat kushtetuese të Kryeministrit të Shqipërisë. Kjo është jashtë kompetencave të mia që të informohem dhe të studioj miqësitë të secilit prej jush. Jam i painteresuar se çfarë bëjnë të tjerët pasi kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj vetë në jetën private.
Ndërsa pyetjes nëse Damian Gjiknuri është një nga përfituesit, Rama tha se nuk jemi mbledhur për të bërë thashetheme, por duhet të fokusohemi tek cështja.
Më keni bërë pyetje sikur jemi mbledhur këtu për thashetheme. Këto nuk janë temë e këtij komisioni hetimor në këndvështrimin tim. Doni të përqendroheni tek çështje, jo tek 'afera' që është çështje juaj? Mund ta përsëritni kudo përveçse përballë meje si dëshmitar. Afera është opinion dhe kur të mbaroni punë me mua si dëshmitar i fundit uluni dhe shkruani në raport opinionin tuaj. Te cila aferë do bëjmë debat tani? Përqendrohuni te çështja, nëse më nxirrni jashtë çështjes unë jam dhe Rama, por kam ardhur si dëshmitar. Mos mu drejtoni me tre emra por me dëshmitar. Nëse doni të eksportoni këtu debate që keni muaj të tërë që i bëni dhe statuset e facebook, bëjini por jeni në shkelje të ligjit.



