Grupi i deputetëve të opozitës parlamentare i janë drejtuar me një letër, ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe ambasadorit të BE, Luigi Soreca ku njoftojnë se nuk do ta votojnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
Ata shkruajnë se ndihen të fyer në procesin e negociatave pasi është përjashtuar opinioni i tyre.
Grupi i deputetëve të cilët u futën në Kuvend pas djegies së mandateve të grupeve parlamentare të PD dhe LSI, thonë se kanë qëndruar në Kuvend për të respektuar zgjedhësit dhe në këto kushte kërkojnë minimalisht trajtim të barabartë me ata që janë jashtë Parlamentit.
Në letrën e tyre, ata propozojnë që Kodi i Ri Zgjedhor të jetë reflektim i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe jo “pazar” mes dy partive më të mëdha politike.
Së dyti ata kërkojnë garanci për ndryshimin e sistemin nga listat e mbyllura në listat e hapura.
Në të kundërt ata njoftojnë se nuk do ta votojnë draftin që do dalë nga marrëveshja në tryezën e Reformës Zgjedhore.
Letra e grupit të deputetëve të opozitës parlamentare nuk është firmosur nga Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni.
Letra e plotë:
Na lejoni që t’ju shprehim vlerësimet për konsideratën më të lartë për vendet dhe institucionet që ju keni nderin e madh të përfaqësoni në Tiranë. Ne shprehim gjithashtu konsideratën më të lartë për SHBA-në dhe BE-në, në përpjekjet e vazhdueshme që kanë synuar lehtësimin e konsensusit të nevojshëm për një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Lidhur me këtë proces ku ju jeni përfshirë, na lejoni t’ju shprehim përmes kësaj letre zyrtare dhe njëkohësisht publike, disa vlerësime dhe qëndrimet tona.
Së pari, një mësim i vjetër shqiptar na kujton gjithmonë se asnjëherë “nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”. Ne vlerësojmë se përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme të opozitës parlamentare është fyes për të gjithë ne.
Ne jemi deputetë të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë me pëlqimin dhe propozimin zyrtar të udhëheqësve të partive, që kanë braktisur sot Kuvendin.
Zgjedhja jonë ka qenë e qartë: mes luftës së verbër të revanshit politik të ish-udhëheqësve tanë dhe rrugës së respektit për zgjedhësit bashkë me respektin për frymën e Kushtetutës dhe të ligjit, ne vendosëm të zgjedhim Kushtetutën dhe Ligjin, aspak Luli Bashën dhe Monika Kryemadhin.
Ne zgjodhëm të ngremë zërin për njerëzit e thjeshtë, por kurrësesi luftën për pushtet apo zhurmën e protestave me molotov, që shkuan deri aty sa tentuan të djegin tempullin e demokracisë Kuvendin.
Në këto kushte ne jemi të vendosur së pari, të kërkojmë minimalisht trajtimin e barabartë me ata që janë jashtë Parlamentit, por nuk do të pranojmë aspak diskriminimin dhe fyerjen ndaj nesh.
Së dyti, ne kemi mendime të ndryshme dhe nuk i shërbejmë asnjë kryetari partie, por fatmirësisht SOT kemi një mendim të unifikuar për dy çështje themelore.
Të nderuar miq të Shqipërisë, deputetët e opozitës parlamentare, propozojnë:
A)Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë pasqyrë e pastër e reflektimit të plotë, jo copa-copa, të të gjitha rekomandimeve të raporteve të njepasnjëshme të OSBE/ODIHR dhe aspak pazari i radhës së dy partive të mëdha, ose më mirë ish “të mëdha”, dhe të patericës së tyre presidenciale për komisionerët e tyre partiakë, që kanë qenë dhe mbeten kanceri i zgjedhjeve prej 30 vitesh. Ne jemi të gjithë në një mendje: NJË PAZAR TË TILLË, QË MUND TË DUKET SI MARRËVESHJE POR QË KA SHKATËRRUAR REKOMANDIMET E VYERA TË ESKPERTËVE TË ODIHIRIT, NE NUK DO TA VOTOJMË.
B)Ne jemi po ashtu të një mendjeje, që Kodin e ri Zgjedhor, nuk do ta votojmë, në rast se shumica në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur me ne, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA.
E nderuar zonja Ambasadore Kim,
I nderuar zoti Ambasador Soreca,
Ne nuk jemi vipa të politikës shqiptare, sepse jemi njerëz të thjeshtë,
Ne nuk jemi miqtë e preferuar të ambasadave në Tiranë, të drekave dhe darkave aristokrate, megjithëse miqësia jonë për ju dhe shtetet (institucionet) tuaja lidhet vetëm me interesat e Shqipërisë, aspak me karrierat tona personale.
Por ne jemi shqiptarë pasardhës të Ismail Qemalit, që nuk pranojmë të konsiderohemi në këtë proces si qytetarë të dorës së dytë, apo si kartona në dizpozicion të shumicës apo marrëveshjeve mes kundërshtarëve tanë politik, të dyja palët fajtorë të kësaj situate në Shqipëri.
Kultura jonë qytetare dhe politike nuk është as kultura e diktatit të Kryeministrit Rama, as kultura e bllokimit dhe e frikës nga zgjedhjet të Kryetarit aktual të Partisë Demokratike.
Dy pikat tona janë parimore dhe meritojnë të gjithë vëmendjen dhe respektin tuaj.
Ne kemi besim dhe duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju urojmë suksese në misionin tuaj fisnik. Ne ju garantojmë gatishmërinë tonë për të dhënë konsensusin tonë të pazëvendësueshëm për të votuar Kodin e ri Zgjedhor, mbi bazën e respektit reciprok pa kompromise në formë pazari për pikën e parë, apo nëëformë listash të mbyllura në pikën e dytë.
Duke ju garantuar konsideratën tonë më të lartë, ne kemi autorizuar kryetarët e grupeve tona parlamentare, për te vijuar komunikimin me ju.



