
“Berisha përfaqëson një udhëheqës politik populist, Rama ka gjuhë shumë më të egër”. Kështu tha mbrëmjen e sotme në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Vehap Kola teksa fliste për udhëheqësit politikë në vend dhe respektin për Berishën. Sipas tij Berisha flet në mënyrën më të mirë që mund të flasë një politikan shqipfolës që di të komunikojë me një audiencë së cilës si përket.
“Nuk e kam fshehur asnjëherë që kam respekt për Berishën. E kam thënë që Berisha përfaqëson një udhëheqës politik, me trajta dhe fizionomi shumë të qartë. Ai flet në mënyrën më të mirë që mund të flasë një politikan shqipfolës, di të komunikojë me një audiencë së cilës si përket, arrin të artikulojë në gjuhë të thjeshtë. Është një lider populist, ka ditur të krijojë një narrativë që ndan në dy pole realitetin, të mirën dhe të keqen. Këtë e kanë të gjithë liderët populistë. E kanë të gjithë politikanët që janë në gjendje të menaxhojnë masa të mëdha. Rama është populist por ka një gjuhë shumë më të egër se Berisha”, tha analisti.



