
Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me shtyrjen e hapjes së negociatave për Shqipërinë. Në seancën e sotme, Rama akuzoi opozitën se e lexon si dështim vendimin e Komisionit Europian për të nisur bisedimet për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm.
“Opozita jonë është e vetmja që thotë se ne dështuam, ndërkohë që Komisioni Europian mbështet vendimin që miqtë e partnerët e Shqipërisë na urojnë, e vazhdojnë edhe sot komunikojmë me ne për të na uruar. Po ne s’merremi me ju, se kemi pambarimisht punë për të bërë. Nuk i mbajmë më këta në kurriz, boll jemi bërë pjesë e këtyre. Se njerëzit habiten për çfarë diskutohet këtu, për çfarë flasin këta. Ne do ju lëmë në punën tuaj, dhe ne do vazhzdojmë në punën tonë, të ecim përpara se ka shumë sfida për të kaluar”, tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se qershori nuk mund t’i kujtojë tjetër veçse humbje opozitës.
“Sot kam marrë ftesën bashkë me kryeministrin maqedonas, dhe të nisim bisedimet për punët përgatitore për hapjen e negociatave. Këta thonë jepni dorëheqjen. Ne kemi datën për negociatat, këta thonë jo, se qershorin e kanë problem, se në qershor i pësojnë të gjithë ato goditjet. Qershori është hija që ju ndjek dhe do ju ndjekë nga pas, dhe qershori tjetër do vijë, një rrugë e dy punë: t’ju rregullojë mirë siç e meritoni dhe të hyjmë në procedurat përfundimtare për hapjen e negociatave. Është fatkeqësi që s’kemi opozitë as për ekonominë, as për punësimin, as zhvillimin rural, arsimin e turizmin”, tha Rama.



