Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, doktoreshë Mirela Tabaku ngriti shqetësimin në lidhje me përhapjen e Covid-19 në Shqipëri. Taku, theksoi se ka një ulje të numrit të personave të testuar, krahasuar me fillimin e javës së kaluar, duke përsëritur apelin e OBSH-së për testime.
Ajo tha se mënyra se si po vepron Shqipëria, shkon në kundërshtim me porositë e dhëna nga OBSH, e cila këshillon qeveritë për protokollet që duhet të ndjekin për të minimizuar përhapjen e sëmundjes. Sipas saj, vetëm një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së dha një mesazh shumë të rëndësishëm: testoni, testoni dhe testoni.
“Dy ditë më parë Partia Demokratike, bazuar në numrin e testeve të bëra, e ngriti këtë problematikë me shumë forcë, pasi të dhënat zyrtare të testimeve tregojnë se numri i tyre është ulur në mënyrë drastike dhe të pashpjegueshme”, citohet nga deklarata e saj.
Tabaku, deklaroi se ajo që po në Shqipëri është se numri i personave që paraqesin ankesa dhe simptoma rritet, ndërsa numri i të testuarve pakësohet. Duke shtuar më pas, se pyetja e të gjithëve është: çfarë po ndodh? Mungojnë tamponët, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren?
Ajo thekson se shqiptarët kanë të drejtë ta dinë pse veprojmë kundër këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Duhen shtuar fondet për tampone, fondet për kite të bërjes së testeve! Duhet nxituar, pasi jemi vonë! Mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda”, tha ajo.
Tabaku tha se duhet bërë gjithçka dhe duhet mobilizuar çdo fond për të qenë një hap para krizës.



