Kryeministri Edi Rama thotë se marrëveshja e re e detit me Greqinë do të jetë drejtë dhe të gjithë do të kenë mundësi ta shohin pa filtrat e politikës. Në një dëgjesë publike me pakicat kombëtarë në Karahaxh të Sarandës, Rama tha se Greqia do shfuqizojë ligjin e luftës.
“Greqia e ka njohur si fakt ligjin absurd të luftës dhe ka pranuar ta shfuqizojë. Kur ne kemi nisur këtë diskutim, thoshin se kjo nuk ekziston, por në fakt është një fakt pengues dhe me pasoja juridike që do të zhbëhet nga parlamenti i Greqisë dhe kjo është një arritje e madhe. Është fakt edhe që emigrantët shqiptarë në Greqi kanë pasur burokraci të ndryshme. Marrëveshja e re e detit do jetë e drejtë dhe do pasqyrohet në hartë. Do kemi mundësi që të gjithë ta shohin jo me sytë e politikës”, tha Rama.
Rama u shpreh optimist për hapjen e negociatave me BE-në në fund të këtij muaji.
"Unë kam besim se drita jeshile do të ndizet në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër. Shqipëria nuk ka kthim prapa në këtë proces. Kanë ngritur tymnajën e re “PO, por me kushte”. Nuk ka proces për në BE pa kushte. Mali i Zi negocion dhe ka 94 kushte. E rëndësishme është që ne të mos qëndrojmë në vend numëro, por të bëjmë hapa përpara. Ne do të bëhemi anëtarë të BE-së kur të jemi gati, por ndërkohë të shfrytëzojmë këtë proces për një Shqipëri më të mirë”, tha Rama.



