Pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në komunën e Zubin Potokut në veri të vendit, forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në zonën e prekur.
Me këtë rast, bëhet e ditur se KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, ka deklaruar KFOR-i, duke shtuar se ka ofruar ndihmë për institucionet kosovare pas ngjarjes, përfshirë mbështetje logjistike dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
Misioni, shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim.
Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për shtyp të dielën në Prishtinë, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri pas sulmit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Zotimi në bazë të së cilit FSK-ja s’do të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, rihapet si çështje sa herë që ka tensione në këtë pjesë të Kosovës.
Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e sulmit më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës në Kosovë, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, në veri të vendit, i cili cenoi seriozisht paqen dhe sigurinë në rajon.



