
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim me mbështetësit e tij në Kuçovë. Në foltoren e këtij qyteti kanë qenë të pranishem ish-deputeti Astrit Veliaj, ish-deputeti Genc Pollo dhe kryetari i FRPD Kuçovë, së bashku me ish-kandidatin për kryetar bashkie, Myslim Haxhiu. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se tetë vitet e fundit, ishin vitet e varfërimit të shqiptarëve për shkak të Edi Ramës, ndërsa edhe njëherë i ka bërë thirrje kryesisë së PD-së të japin dorëheqjen. Berisha deklaroi se anëtarët e Kryesisë së PD, 60% e tyre të emëruar nga Lulzim Basha, nuk përfaqësojnë demokratët, pasi nuk janë të votuar.
“Ju jeni dëshmitar se si ky njeri ka marrë vendime në tre muajt e fundit pa pyetur asnjë forum, asnjë nen të statutit. Ju jeni dëshmitarë së fundmi që Kryesinë e partisë e ka me 60% të emëruar. Ajo nuk është Kryesia juaj, ajo është Kryesia e peng Bashës. Unë i ftoj ata të gjithë që të japin dorëheqjen për dinjitetin e tyre. Ata u përkasin ju dhe ju them se ju jeni drejtuesit dhe njerëzit e besimit të anëtarësisë së PD. Ju nuk mund të jeni kurrë anëtarë të shoqatës Basha-Bardhi, duhet të qëndroni midis anëtarësisë së PD. Ndaj dhe jepni dorëheqjen”, u shpreh Berisha
Teksa fliste në foltore, Berisha tha se Fatos Nanos duhet t’i njihet merita që reformoi Partinë Socialiste dhe vendosi institucionin e votës, por sipas tij këto reforma u shkatërruan nga Edi Rama.
“Më e rënda nga të gjitha është fakti se ne humbëm votën. Ne humbëm votën në këto 8 vite. Ne votojmë, por na i numëron partia shtet. I rrëmben Edi Rama. Kështu ndodhi në zgjedhjet e 2017 dhe të 2021. PS kaloi një provë të madhe drejt reformës me Fatos Nanos, ai kur është esëll flet sakte, duhet t’ia njohim këtë meritë. Por ai bëri një reformë të madhe, nga partia e njëshit u kthye në anëtar të thjeshtë dhe mori sërish partinë nga vota e anëtarëve. Por dha dorëheqjen dhe iku. Ky që erdhi dhe u duk si lider evropian dhe vendosi që të ai që humbiste të ikte. Por kur humbi zgjedhjet në vitin 2009 detyroi anëtarët që të votonin të mos largonin kryetarin”, tha Berisha.



