Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli prezantoi sot një nga pikat kryesore të platformës së tij, atë të Manifestit Politik.
Kadilli tha se “kjo do të sillte garantimin e karrierës politike, me qëllim që t’i jepet fund monopolit të kryetarit në PD”.
“Shumë prej jush më pyesin se çfarë risie sjell Manifesti Politik për anëtarin e thjeshtë të PD-së? Përgjigja është vetëm një: Garantimin e karrierës politike! Çdo anëtar mund të krijojë seksionin e vet, prej 5 vetësh apo më shumë, duke u bërë kryetari dhe duke marrë përgjegjësi. Le të bëhemi ne të parët, që e zhbëjmë monopolin centralist të kryetarit, të themelojmë një parti pluraliste, gjithëpërfshirëse, të fortë në territor, ku pushtetin e zotëron anëtari i thjeshtë, pa asnjë kufizim ne kontribut dhe ambicie politike. Ky është manifesti im politik”, tha Kadilli.
Ai tha se është në garë për një PD të pastër, të hapur, të bashkuar dhe fituese.



