Gjatë një bashkëbisedimi me punonjës dhe drejtues të një prej biznesve të mëdha në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se sipërmarrjet duhet të rrisin pagat pa prekur kapitalin njerëzor.
Rama tha se synohet që brenda këtij mandati paga minimale të shkojë në 45 mijë lekë, dhe brenda 2030-ës, të mos ketë page nën 60 mijë lekë.
Ne kemi sot domosdoshmërisë t’ia përcjellim të gjitha sipërmarrjeve këtë mesazh; që të rendin të rrisin pagat dhe të rendin të mbajnë të paprekur kapitalin njerëzor sepse në momentin kur do humbasin kapitalin njerëzor do jetë tepër vonë, do humbasin gjithçka. Në momentin kur nuk do gjejnë më punonjës që do duan të vijnë dhe të punojnë me paga që janë paga shfrytëzimi në kohët kur jetojmë, do jetë shumë vonë për ta dhe gjithë ai fitimi ekstra i mos-respektit dhe i keqtrajtimit të të drejtave të punonjësve, pastaj do jetë bumerangu i këtyre kompanive.
Ky është thelbi sot dhe ne do bëjmë tonën sa i përket kësaj pjese. Jetojmë në një sistem që nuk ua mundëson shtetit, qeverisë që të caktojë pagat në sektorin privat; kjo është çështje e konkurrencës, kjo është çështje e kompanive sesi i vendosin, kjo është çështje e punonjësve, por nga ana tjetër ne nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir nëse kompani të caktuara nuk i përgjigjen punonjësve me dinjitet dhe përdorin paga që janë lëmosha shfrytëzimi dhe jo paga reale për familjet.
Ajo që ne mund të bëjmë është, e para, vendosja e pagës minimale dhe këtë e kemi bërë; paga minimale tani është rritur në 40mijë lekë, do ta çojmë në 45mijë lekë brenda këtij mandati, besoj unë, dhe synimi është që në rrugën drejt 2030, Shqipëria të mos ketë pagë minimale nën 60 mijë lekë”.
Rama shtoi se:
Me rritjen e pagave që ne kemi bërë, paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 900 euro. Kjo është një arritje shumë e madhe, por duhet të shoqërohet edhe nga ecja me të njëjtin ritëm të kompanive private”.



