Një ditë pas darkës ku Rama dhe Meta kanë diskutuar për të ardhmen e koalicionit qeverisës është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka lënë të nënkuptuar se diskutimet kanë qenë të frytshme.
Gjatë inspektimit të punimeve për shkollën e re Betim Muço në Kombinat, Veliaj ka deklaruar pa përmendur emra, se “ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa në ndajnë”.
“Kemi kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të ruajmë këtë ritëm të zhvillimit të Tiranës, të zhvillimit të Shqipërisë, vetëm duke u fokusuar te gjërat që na bashkojnë, duke qenë konstruktivë, duke ofruar konsensus, për të kuptuar se Shqipëria është përtej çdo diference tjetër. Mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme si në Shqipëri, ashtu edhe në qytetin Tiranës, ku besoj se kemi vënë një standard në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike”, tha Veliaj.
Kryeministri Edi Rama është shoqëruar në darkën e djeshme nga kreu i bashkisë Erion Veliaj, teksa Kreu i LSI Meta ka shkuar në takim me ministrin e drejtësisë, Petrit Vasili.



