
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Nga protesta e opozitës para Parlamentit, kryedemokrati deklaroi se Rama ka urdhëruar sulmin kimik por kjo nuk i frikëson pasi po protestojnë për një kauzë të drejtë.
Basha sulmojë qeverinë dhe mes protestuesve ai u bëri thirrje popullit që të ngrihen, ndërsa shtoi se “beteja do të mbarojë me shporrjen e qeverisë së krimit”.
“Sot Rama ka urdhëruar një akt të pa ndodhur më parë, sulmin me lëndë kimike ndaj fëmijëve, motrave, grave dhe nënave, grave shtatzëna, në të drejtën legjitime në protestën kundër kuvendit të krimit. Sot Rama i ka shpallur luftë qytetarëve të vet. Në emër të PD-së, dhe opozitës dhe shqiptarëve, i them Edi Ramës, se me këtë akt shpallje lufte të qytetarëve koston do ta kesh 100 % ti. Ne nuk frikësohemi, sepse ne luftojmë për një kauzë të drejtë, një mision të madh për të nesërmen evropiane. Përballë kemi një shtet që nuk është i shqiptarëve të cilin do ta shembim nga themelet. Ky vend ka dy rrugë: të durojë tiraninë ose të ngrihen të gjithë një zëri, gegë e toskë, myslimanë e krishterë, demokratë e socialistë e të marinë në dorë fatin e tyre. Beteja është e pa kthim. Kjo betejë do të mbarojë me shporrjen e qeverisë së krimit. Asgjë nuk e ndal dot”, tha Basha.



