
Shqipëria ndjek shembullin e SHBA-ve në raport me Venezuelën, pas zhvillimeve të djeshme. Përmes një postimi në “Tuiter”, kryeministri Rama, në cilësinë edhe të kreut të diplomacisë, shprehet se Shqipëria e njeh si president të vendit liderin e opozitës, Juan Guaidó.
“Shqipëria njeh Juan Guaidó si Presidenti të përkohshëm të Venezuelës. Në emër të popullit të Shqipërisë, i uroj Juan Guado-s dhe venezuelianëve të guximshëm që të kenë sukses në zhdukjen e paligjshmërisë që ka kthyer vendin në ferr për popullin”, shkruan Rama.
Juan Guaidò, lider i Asamblesë Kombëtare, u vetëshpall dje president i përkohshëm i Venezuelës, deri në zgjedhjet e reja demokratike.
Me premtimin për ta drejtuar vendin në zgjedhje të reja demokratike, ai ka marrë mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë në SHBA. Vetëm pak minuta pasi u vetëshpall president, Guaidò u njoh si i tillë nga presidenti Trump, çka në sytë e Amerikës e nxjerr “jashtë loje” presidentin Nicolas Maduro. Disa vende e ndoqën menjëherë shembullin e SHBA-ve.



