Bashkia Kamëz ka shpallur tenderin me objekt “Blerje automjetesh”, me fond limit 63.3 milionë lekë për blerjen e tri automjeteve me vlerë për njësi 21.1 milionë lekë, të specifikuara si “automjete për administratën” .
Pavarësisht se në dokumentacion kanë specifikuar kriteret e përgjithshme që janë standarde bazuar në ligj dhe kriteret e veçanta që i vendos institucioni, nuk ka të parashikuar specifikimet teknike të automjeteve që do të prokurohen, as në dokumentet standarde të tenderit dhe as në procesverbal, të cilat janë thelbësore në një procedurë prokurimi.
Procesverbali i zbuluar nga “Xhadat” ka vetëm një paragraf me përmbajtjen si vijon, që në thelb nuk do të thotë asgjë:
Specifikimet teknike dhe fondi limit janë përcaktuar nga komisioni i ngritur me Urdhër të titullarit të autoritetit kontraktor nr.6243 date 22.07.2024.
Praktikisht gara është e cenuar që në hapje të saj sepse vetë institucioni pavarësisht se kërkon të blejë automjete për administratën dhe vë në dispozicion 21.1 milionë lekë për automjet, nuk parashikon çfarë lloj automjetesh do të blej me këto para, standarde apo elektrike dhe me çfarë specifikimesh konkrete.
Ka dy argumente për këtë fakt, ose është lapsus ose fituesi është paracaktuar dhe s’ka nevojë farë të dijë se çfarë automjete do të shesë, sepse pazari është i mbyllur pa filluar tenderi.



