Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë dhe Edi Ramës të mendojë një plan të qartë për situatën me pandeminë, pasi kështu po humbasin jetën shumë persona. Basha thotë se nuk i shkon kurrë në mendje që këtë situatë ta përdori për të sulmuar kundërshtarin politik, por thotë se kjo është e nevojshme në një kohë kur masa kontradiktore merren në harkun e dy ditëve.
Kreu i PD thotë se duhet urgjentisht që spitalet e rretheve të shërbejnë për kurimin e personave me COVID.
“Është e qartë që Rama ka dështuar me planin e pandemisë. Pa plan nuk e lufton dot pandeminë dhe nuk e mposht dot pandeminë për të shpëtuar jetë njerëzish. Kjo ka qenë thirrja ime, një plan serioz për pandeminë, që nis me një numër të saktë testimesh, me pajisjen e spitaleve me pajisje, mjekë e infermierë. Nuk ka zgjidhje tjetër, përvec vënies së spitaleve rajonale në funksion të kësaj beteje. Nëse spitalet rajonale do të ishin përgatitur nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi, që jemi sot. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të fatkeqësisë. Është e domosdoshme të veprohet urgjentisht me një plan dhe jo kuturu. Pandemia nuk luftohet pa plan. Dje kryeministri tha se shkollat nuk janë vatra, sot u vendos mbyllja e pjesshme e tyre. Duhet një qeveri e përgjegjshme, që lë gjithçka për të luftuar pandeminë. Mirëpres cdo lloj reflektimi. S’më shkon mendja kurrë që këto momente të vështira të kem parasysh kundërshtarin politik. Sa jetë do ishin shpëtuar, nëse do ishin marrë masa. Qeveria dhe Edi Rama nuk kanë plan, dhe pikërisht kjo më shqetëson sot,”- tha Basha.



