Ambasadori i Rusisë në vendin tonë, Mikail Afanasiev, në një intervistë ekskluzive për MCN TV, ai komenton samitin për Ukrainën të mbajtur në Tiranë dhe thotë se mesazhet e përcjella përmes tij, nuk i shërbejnë zgjidhjes së konfliktit, por se e përshkallëzojnë atë.
Ndër të tjera, raportet me Shqipërinë, ambasadori Afanasiev i shikon në pikën zero, me një mungesë totale kontakti mes Kremlinit dhe Tiranës zyrtare.
Sipas tij, Shqipëria qëndron në ballë të mbështetjes së sanksioneve paligjshme antiruse, të vendosura nga Perëndimi.
Siç e dini, ky nuk është udhëtimi i parë i V.Zelensky-t në vendet e botës. Ballkani, me sa duket, ishte vendi i fundit ku ai nuk kishte qenë. Asgjë të re për veten tonë nuk dëgjuam. Nga podiumet në Tiranë u shprehën sërish akuza të pabaza në adresë të vendit tonë për “agresion të paligjshëm dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”, u promovua teza e rëndomtë se është e domosdoshme që Rusisë t’i shkaktohet “një humbje strategjike në fushën e betejës”, si edhe kërkesa për furnizimin e Kievit me armë moderne perëndimore. Regjimi i Kievit e përdori këtë platformë për të promovuar të ashtuquajturën “Formula e paqes” e Zelenskyt, e cila, në fakt, është një grup dëshirash ultimative të tij dhe, në thelb, kërkon kapitulimin e Rusisë: tërheqjen e trupave ruse nga territori i Donbasit, Krimesë, rajonet e Zaporizhia-s dhe Khersonit, pagesën e dëmshpërblimeve, dorëzimin në gjykatat ndërkombëtare, etj. Kjo “formulë” është absolutisht një rrugë pa krye. Ne kemi folur për këtë vazhdimisht. Por nëse nuk kanë me se të merren, nëse kanë nevojë të demonstrojnë disa “gjeste” në mënyrë që Ukraina të mos harrohet, përfshirë në Ballkanin Perëndimor, atëherë veprimet e ukrainasve janë mjaft të kuptueshme.
Ne jemi të bindur se një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe e drejtë është e mundur vetëm, nëse regjimi i Kievit do tё pёrfundojё luftimet dhe sulmet terroriste, ndёrsa sponsorët e tij perëndimorë – pompimin e forcave tё armatosura të Ukrainës me armë. Për më tepër, duhet të konfirmohen themelet origjinale të sovranitetit të Ukrainës – statusi i saj neutral, jashtё blloqeve dhe jo-bërthamor. Duhet të njihen realitetet e reja territoriale të krijuara si rezultat i pёrdorimit nga banorët e rajoneve të reja ruse të së drejtës për vetëvendosje të sanksionuar në Kartën e OKB-së, duhet të sigurohen çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës, të drejtat e qytetarëve të saj rusishtfolës dhe pakicave kombëtare. Zbatimi i këtyre elementeve pёrputhet plotësisht me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të cilat po lufton Rusia.



