Në një fjalim të mbajtur para parlamentit europian për prioritetet, Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, shtetit që për 6 muaj ka kryesinë e BE-së, evidentoi edhe çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në union. Merkel tha që synohet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me këto vende, por teksa fliste për Shqipërinë, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, tha ‘nëse mundemi’, duke lënë të kuptohet se ne mund të lihemi mbrapa në këtë proces.
“Një nga tre objektivat e politikës së jashtme gjatë presidencës tonë ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor. Lidhur me konferencat e anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarêsimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë, si dhe progresin për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të ofrojmë një perspektivë anëtarësimi”, tha Merkel.
Sipas kalendarit të përkohshëm të Bashkimit Europian, konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut mund të mbahet me 10 nëntor, moment kur do të takohen edhe ministrat e jashtëm të BE-së. Ndërkohë referuar deklaratave të 25 marsit situata për Shqipërinë qëndron ndryshe, për shkak të rezervave të shprehura nga 27 anëtarët.



