Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Ukraine, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus, si dhe situata e sigurisë në Evropë.
"Diplomacia nuk kufizohet vetëm në sallat formale të takimeve; ajo zhvillohet kudo, edhe gjatë pritjes për fluturimin e radhës drejt angazhimit të ardhshëm.
Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur, në çdo mënyrë të mundshme”, u shpreh ministri shqiptar.
Gjatë takimit, palët shkëmbyen pikëpamje edhe mbi procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së ritmit për anëtarësimin në BE.
Diskutimi preku gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet e ardhshme, përfshirë takimin ministror për Ukrainën që do të mbahet në qershor në Tirana, duke rikonfirmuar bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal.



