
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar dje ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se takimet planifikohet të mbahen javën e ardhshme dhe “do të jenë në shërbim të bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës”.
Në njoftim nuk përmendet në mënyrë të veçantë çështja e dialogut me Serbinë, mirëpo Kurti disa herë e ka theksuar se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.
Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, ka thënë Kurti darkës së punës së udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel më 18 maj.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur dhjetë vjet më parë. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.



