
Koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes partnerit të saj në Mitrovicën e Veriut, Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), do të jetë e angazhuar në misionin vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që do të mbahen më 19 maj, u bë e ditur sot.
116 vëzhguesit nga DnV do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Ata do të bëjnë vëzhgimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, e cila do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
Kurse, në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimet në katër komunat e veriut të Kosovës. Janë rreth 58 mijë e 500 qytetarëve me të drejtë vote, 352 të rinj ose 1 mijë e 507 votues më shumë nga viti paraprak. Bëhet e ditur se janë 12 kandidatë në katër komuna, në secilën komunë nga tre kandidat dhe se ka pasur kërkesa për regjistrim prej Serbisë nga 1 mijë e 506 qytetarë që kanë kërkuar të votojnë me postë, shkruan Koha.net.
Kujtojmë se këto katër komuna serbe kanë shkuar në zgjedhje pasi kryetarët kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës ndaj mallrave që importohen nga Serbia.



