Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë për burgosjen e Presidentit të partisë Ilir Meta, i cili kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë, thotë se po mbahet në izolim në mënyrë të padrejtë dhe së në rastin e tij janë shkelur ligjet dhe të drejtat e njeriut.
Duke folur për “MCN Live” ajo deklaroi se Presidenti i Partisë së Lirisë mbahet në burg për arsye politike dhe se për rastin e tij drejtësia përdor dy standarde.
Nuk lejohemi as për takim, edhe pse në përgjigjen që më ka ardhur nga Komiteti i Helsinkit dhe në letrat brenda dhe jashtë vendit për atë izolim politik dhe persekutim ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, thuhet qartë se deputetët kanë të drejtë ta takojnë.
Helsinki e thotë qartë, se SPAK më ka kthyer përgjigje se nuk ke nevojë për autorizim për takim. Helsinki thotë se Drejtoria e Burgjeve bën keqinterpretim të ligjit, pasi deputeti ka të drejtë jo vetëm të vizitojë ambientet por edhe të ketë takime me të paraburgosurit.
Avokatja e Popullit po bën një raport të dytë pas raportit të parë për shkeljet flagrante të arrestimit të Presidentit, më tha që ka keqinterpretim të ligjit. Por për mua është urdhër politik mos lejimi i takimit nga deputetët dhe europarlamentarët.
Nuk ka arsye sot që flasim që të mbahet në izolim. Ka dy standarde sot në Shqipëri, ku Presidenti i Partisë së Lirisë mbahet në burg për arsye politike, ndërkohë që të tjerë janë nën akuzë dhe rrezikojnë prishjen e provave dhe vazhdojnë të jenë në detyrë.
Kjo është një betejë që zoti Meta po e vazhdon, por kemi parasysh që gjithë hakmarrja e kësaj qeverie ndaj presidentit është për shkak të të vërtetave që ai ka thënë dhe goditje ndaj Partisë së Lirisë që është një faktor shumë i rëndësishëm elektoral.
Gjithë ky agresion dhe shkelje e të drejtave të njeriut që i është bërë Presidentit Meta, që nga momenti i rrëmbimit, pa iu dhënë vendimi i gjykatës dhe nuk i janë garantuar të drejtat e tij, nuk i është lejuar të flasë me avokatin, në të gjithë këto shkelje kreu i SPAK para Kuvendit, thotë se ishte një ngjarje e shëmtuar.
Atëherë pse nuk ka një hetim, kur ne kemi bërë kallëzim për gjithë këto shkelje të bëra. Një zyrtar i lartë pa asnjë precedent penal, ndërkohë që regjistrimi ishte në kohë reale, përhapja e videos në kohë reale, apo e dosjes.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka qenë në hotelin e një dashamirësi të Partisë Socialiste dhe nga aty është filmuar gjithçka, dhe e ka shpërndarë videon në kohë reale me urdhër të Edi Ramës.



