
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla firmosi sot kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku kërkohet thirrja e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të Republikës.
Në shkresën e tij, Balla sqaron se bazuar në Kushtetute, mandati i Presidentit Ilir Meta përfundon në 24 korrik të këtij viti, ndaj nisja e procedurave duhet bërë përpara datës 24 maj siç përcaktojnë afatat kushtetuese.
Duke pasur parasysh se Presidenti i Republikës në detyrë ka pasur si datë të betimit datën 24 korrik 2017, konstatohet se mandati i tij si President i Republikës përfundon më 24 korrik 2022 dhe referuar parashikimeve kushtetuese sa më sipër procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës duhet të fillojnë jo më vonë se data 24 maj 2022.
Duke pasur në vëmendje afatet maksimale për çdo raund votimi si dhe numrin maksimal të pesë raundeve, Balla parashtroi kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, më datën 29 Prill 2022.
Për këtë qëllim, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ju propozoj thirrjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 29 Prill 2022, me këtë rend dite: Fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë; përcaktimi i datës së raundit të parë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, referuar Kushtetutës, Balla propozoi që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet më datën 4 maj 2022.
Balla deklaron se “procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës do të reflektojë gatishmërinë tonë për dialog me grupet parlamentare opozitare në Kuvend”.
” Ne duhet të ndahemi nga modelet bajate të së shkuarës në të gjitha format e saj dhe të punojmë së bashku për të ardhmen. Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në të cilin Kuvendi i Shqipërisë do të investohet gjatë javëve në vijim, do të reflektojë gatishmërinë tonë për dialog me grupet parlamentare opozitare në Kuvend.
Ne do t`i japim Shqipërisë një President normal dhe krejtësisht të ndryshëm nga presidenti në largim”.



