
Nga foltorja e Parlamentit kreu i opozitës Lulzim Basha i është drejtuar kolegëve në sallë, duke i pyetur me ironi nëse i njihnin ministrat e rinj të propozuar nga Rama, e duke i treguar ata me gisht.
Basha tha se të gjithë ministrat e rinj janë të panjohur për publikun dhe se nuk kanë bërë asgjë për këtë vend, por janë zgjedhur aty si kukulla të Edi Ramës.
"Sot në pushtet ka vetëm një njeri që qeveris me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që kontrollojnë të gjitha pushtetet në vend, jashtë çdo kontrolli dhe procesi politik. Sot ministra në pushtet nuk janë më as përfaqësues të popullit, as përfaqësues të PS. Sot ka vetëm një pushtet, pushteti personal i Edi Ramës. Shikojini pak. I njihni kush janë? Më thoni emrin e njëri prej tyre? A i njihni o socialistë kush është kjo zonjë, kush është kjo tjetra? Ai i njihni kush janë? Çfarë janë?Janë kukullat e këtij. I mbani mend emrat? Kush janë, ministre e kujt është, çfarë ka bërë për këtë vend?", deklaroi Basha.
Gjatë kohës që Basha fliste dhe drejtonte gishtin nga ministrat e rinj, ka reaguar edhe kreu i qeverisë, të cilit Basha i është përgjigjur duke i thënë që të mos “pëllasë”.
"Mos pëllit, se nëse ka filluar të të dhëmbë, tani do të të dhembë më shumë, shumë shpejt, mos pëllit. Kush janë, nga i mori, nga i nxori, për çfarë i nxori? Një grusht oligarkës i kanë miratuar, ata ja kanë sjellë. Pazaret e milionave. 20 mln euro km tek unaza. Këta ja kanë sjellë që ky të firmosë pa e penguar njeri. Arroganca e një të çmenduri që pikturon veten lakuriq në Instagram. Nivelin e kabinetit të Surrelit e ka të nivelit të Enver Hoxhës, të Lenka Cukos dhe Pali Miskës", vazhdoi Basha më tej.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se duke nisur nga sot PD ka një dhe vetëm një mision, ti prinë qytetarëve drejt të drejtës së tyre legjitime. Sipas kryedemokratit ka bërë thirje të bëhen zot të fateve të vendit, të bëhen zot të fateve të fëmijëve të tyre, të bëhen zot të fateve të këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie përmes një kryengritje demokratike popullore për ti dhënë fund regjimit të këtij të marri psikik.



