
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se licencat e kanabisit i kanë marrë njerëzit e lidhur me Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste, pa u bërë tender për to.
Ai tha se Rama dha leje për 29.300 hektarë kanabis me vlerë 10 miliardë euro në vitin elektoral në shkelje të ligjit dhe të gjitha konventave ndërkombëtare.
Në farsën elektorale të 11 Majit 2025, kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama, përdori të gjitha mjetet, ndër të cilat licencat për mbjelljen në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të gjitha konventat ndërkombëtare të 29 mijë e 300 hektarëve drogë.
Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë.
Pra, në vit elektoral Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të katër anët e saj, dhe në thellësi, me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale po të kemi parasysh se në 28 mijë hektarë mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 miliardë euro. Në qoftë se një hektar i lihet një bime 2 metër katrorë, i bie në një hektar të mbillen 5 mijë bimë.
Në qoftë se shumëzoni 29.400 hektarë me 5 mijë bimë, imagjinoni pra se ku shkon kjo shifër. Shkon mbi miliard e 300 mijë. Shkon në mbjelljen më të madhe që mund të jetë regjistruar ndonjëherë në një vend. Dhe që të gjitha këtu, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me certifikatë shteti, me leje të narkoshtetit.
Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota.
Thashë dhe njëherë, nuk ka ndodhur kurrë që të autorizohet, të shkelet me 140 herë sipërfaqja e parashikuar me ligjin, siç ka ndodhur në këto zgjedhje.
Ky vendim dhe kjo praktikë, sikur të mos kishte asnjë faktor tjetër, kanabizon tërësisht farsën elektorale. Këto zgjedhje kurrë nuk mund të njihen. Janë dhënë ato të gjitha licencat.
Nuk jemi marrë konkretisht me emrat, por licencë kush përveç njerëzve të lidhur me drogën dhe Ramën nuk merr. Besoj se është e qartë ajo.
Aty nuk ka pasur tender për marrjen e tyre. Problemi është se mbillen 1 miliard e 300 mijë rrënjë dhe unë e lashë me të lirshëm, 2 metër katrorë rrënja, se janë disa më të vogla, se këta i kanë sofistikuar farnat tani, sjellin farna 45-ditore, që e mbjellin 2-3 herë brenda vitit.
Por kjo është sasi e padëgjuar ndonjëherë. Atë e marrin të gjithë partia e krimit. Kush e merr? Janë plantacione të partisë së krimit. Nuk mund të jetë tjetër kush.



