Kreu i PD Sali Berisha deklaroi sot se Erion Veliajn e kanë nxjerrë nga burgu para tre netësh dhe e kanë çuar në drejtim të paditur. Sipas kryedemokratit, kryeministri Edi Rama kërkon asgjësimin e tij, të paktën politikisht.
“Tani, kanë qarkulluar shumë, të themi gosipe. Njëri prej tyre është se burgu ka lajme dhe gosipe. Njëri prej tyre është se para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. Por e vërteta është se gosipi i asaj ndërtesë këtë thotë.
E thashë këtë se Edi Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj dhe do ta shohë me çdo kusht të asgjësuar. Politikisht të paktën, mos edhe për atë tjetrën, por atë nuk e di. Por ta nxjerrësh atë tjetrin në orën 12 të natës të kalamendur dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkt për Ramën.
Ku shkoi ai? Ku e çoi atë? Mori autorizim apo nuk mori autorizim? Apo përdori vetëm këtë papagallin e Ulsiut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 12 të natës, këtë nuk e dimë. Megjithatë, ajo që ne qëndrojmë është respektimi i të drejtave të çdo njeriu kudo që ndodhet”.



