
Pasi nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi i ka pasur të rralla daljet e tij publike, por sot në një ceremoni në kuadër të 27-vjetorit të krijimit të Shoqatës “Çamëria”, Idrizi ka hedhur akuza për kulisa politikë që sipas tij, kanë për qëllim të zhdukin faktorin politik të Çamërisë, në një kohë që siç tha ai, vetëm me votat e çamëve mund të ishin zgjedhur pa frikë 7 deputetë.
Kanë luajtur të gjithë gurët që të zhdukin faktorin politik të Çamërisë. Por neve s’na zhdukën dot bandat e Napolon Zervës e jo më kulisat e shtetit. Sido që të ketë ndodhur ne do mbetemi halë në sy e çdo politike antikombëtare. Ne do kemi yllin tonë polar që ndriçon për bashkimin e shqiptarëve të Çamërisë”, tha Idrizi.
Po ashtu ai është përgjigjur dhe deklaratave të presidentit grek, duke thënë: Kam dëgjuar në mënyre të përsëritur Presidentin e Greqisë të kërcënoje Shqipërinë me rrugën e standardet Evropiane për respektimin e te Drejtave te Minoritetit Grek ne Shqipëri.
“I kujtoj Presidentit të Greqisë se, standardet Evropiane nuk janë ushkuri për të mbajtur qillotat poshtë fustanellës, por ata janë të drejtat e njeriut të sanksionuara në Konventat Europiane”, tha Idrizi.
Në fjalën e tij Idrizi dhe se duhet të rikonceptohet e të ristrukturohet Shoqatën Çamëria dhe PDIU. Në këtë takim ai përmendi dhe takimet dypalëshe mes Bushatit dhe Kozias dhe tha se duhet të prevalojë detyrimi Kushtetues për reciprocitet e të hiqet ligji i luftës e pasojat e tij, të hapet rruga e zgjidhjes së Çështjes Çame, të ngrihet problem i varrezave të Shqiptarëve në Çamëri.



