Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama kanë qenë në qendër të analizës së analistit Sami Neza.
I ftuar në studion e MCN Live, Neza tha se ritmet e shpejta të afrimit me Bashkimin Evropian nuk vijnë si pasojë e reformave të thella të qeverisë, por për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike.
Neza theksoi se kryeministri po shfrytëzon arritjet thjesht teknike për të bërë retorikë politike dhe për të krijuar përshtypjen se vendi ka bërë hapa galopantë.
Nuk është njësoj edhe me përcaktimet politike të raportit. Pjesa teknike është ajo që e ka fryrë Ramën që të bëjë atë deklaratën që ne jemi më të avancuar se kurrë. Qëndrimi i Ramës është i vjetër, sidomos në komunikimin që ka me zyrtarë të BE-së. E përsërit këtë dhe e ka retorikë, është pretendim se mund të ndërtojë presione tek BE. Ajo që po ndodh mes Shqipërisë dhe BE-së janë raporte që janë vendosur nga gjeopolitika. Çështja e integrimit të vendit është çështje gjeopolitike, jo se ne kemi ndryshuar gjë."
Më tej, analisti sqaroi se megjithëse rruga drejt BE-së tashmë është e konsoliduar dhe pa kthim pas, progresi real në kapitujt themelorë ka ngrirë prej vitesh. Ai u ndal specifikisht te Kapitulli 23 duke thënë se situata nuk ka ndryshuar që prej vitit 2023.
Avancimi drejt BE-së është më i shpejtë dhe me ritme të shpejta dhe është një rrugë që është konsoliduar dhe nuk ka kthim pas. Por progresi që kemi bërë është progresi teknik. Ato kapitujt 23 dhe 24 nuk kanë përparim, janë në atë situatë që kanë qenë edhe në 2023 apo edhe në 2024.



