Ish-kreu i PD, Lulzim Basha ka folur sot në një mbledhje të Këshillit të Europës, nga ku e konsideroi pavarësinë e Kosovës një realitet të pakthyeshëm, dhe u bëri thirrje 5 vendeve anëtare që ta njohin si shtet.
Si përfaqësues i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare Basha tha se një Ballkan Perëndimor në NATO dhe BE do të thotë Europë më e sigurt dhe më e begatë.
Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Evropës. Sa më shpejt që ky realitet të përqafohet nga të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, aq më mirë do të jetë, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës, si serbë ashtu edhe shqiptarë, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e gjithë rajonit tonë, për të përqendruar përpjekjet dhe vizionin tonë për të siguruar një jetë më të mirë për të rinjtë tanë në vendet tona”.
Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë të parën paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Evropës. Kosova, është një rast ‘sui generis’, dhe do të ishte gabim i rëndë për çdo vend që të hiqte paralele me situata të tjera. Ajo që po ndodh sot në Ukrainë është një kambanë që bie për secilin prej nesh për të parë përtej interesave të sotme. Një Ballkan Perëndimor në NATO, një Ballkan Perëndimor në BE do të thotë një Evropë më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë”.



