
Gjatë një takimi elektoral sot nga Saranda, kryeministri Edi Rama tha se kreu i shtetit Ilir Meta po bën fushatë me subjektet e OFL.
Ai nuk la pa thumbuar edhe kryedemokratin Lulzim Basha si edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Saliu dhe partia e tij, partia e tij me një kryetar që është një kukull e kurdisur në duart e Saliut dhe Ilir Metës, Metës që është President i Republikës për të gjithë ne. Ka vendosur kandidaturën në Vlorë dhe zhvillon një fushatë skutash me subjektet e OFL, premton se do u nxjerrë njerëzit nga burgu. Mbledh këtu bashkë me Leskon e famshëm të fuqive të rakisë. Janë mbledhur dhe lëvizin si një kope hijenash. Edhe nga ana tjetër pa harruar që të mos lërë 2 gurë bashkë për të nxitur sa më shumë rrëmujë konfuzion pasiguri duke arritur deri aty ku e pamë të gjithë, deri te nxitje e aktivitetit jetik të trafikut ajror të Republikës së Shqipërisë pa dashur tja dijë për pasojat. Bllokimi i vaksinave ka qenë një nga goditjet më të forta. Nga bllokimi i njerëzve deri te bllokimi i arkivolëve. Ky është Ilir Meta, kandidati i opozitës në Qarkun e Vlorës.”
Kryeministri u ndal po ashtu te gjithë investimet që janë kryer në Sarandë, duke nisur nga ujësjellësi i Devollit dhe deri tek investimet në Finiq e Konispol.
“Ne sot ishim në pikat e tjera të kësaj zone ku pamë nga afër ndryshimet që vazhdojnë nga uji 24 orë pas 100 vjetësh në Delvinë, ku po përfundon një investim shumë cilësor dhe së shpejti familjet do të kenë në çezëm atë që kanë pritur dhe iu është premtuar për vite e vite të tëra qysh se ata kanë lindur, tek pjesa tjetër, në zonën e Finiqit ku kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme. Pastaj në zonën e Konispolit ku sot prodhohet më shumë sesa në kohën e ashtuquajtur ‘të artë’ nga pikëpamja e prodhimit në raport me të sotmen, të kooperativave. Kjo, falë punës së jashtëzakonshme të atyre njerëzve, por të mbështetur në të gjitha aspektet, jo vetëm tek infrastruktura rrugore, por edhe të ujitjes, me investimin e madh të kryer për rezervuarin strategjik të Janjarit”, tha Rama, ndërsa shtoi se, “sot pamë edhe rezervuarin tjetër poshtë në Mursi”.
I gjithë ky ndryshim, sipas tij, “është një proces që vazhdon, që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ndalet, sepse njerëzit e punës, njerëzit që e shohin politikën me syrin e interesit të tyre, jo me syrin e tifozit, e kanë shumë të qartë se ne po ngjitemi”.



