
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot 3 ligje me shpallje.
Presidenti dekretoi Ligjin nr. 45/2022 “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare”.
Bërja e Shqipërisë pjesë e kësaj Konvente dhe pranimi i parimeve që sanksionohen në të, duhet të nxisë dhe rrisë integritetin, rendimentin, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve publike, të cilat duhet të respektojnë standardet më të mira në ushtrimin dhe realizimin e të drejtave themelore të njeriut, pjesë e pandarë e të cilave është e drejta për informim, thuhet në njoftimin e Institucionit të Presidentit të Republikës.
E drejta e aksesit në dokumentet administrative përbën një instrument për qytetarin për të mbikëqyrur veprimtarinë administrative, me qëllim promovimin e transparencës dhe luftimin e korrupsionit dhe administrimit të keq, thekson Institucioni i Presidentit të Republikës.
Gjithashtu Presidenti dekretoi Ligjin nr. 46/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 26-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Stamboll 2016”.
“Harmonizimi i rregullave për ofrimin e shërbimit postar ndërkombëtar, i shërben promovimit të zhvillimit të shërbimeve postare me cilësi, efikasitet dhe çmime të përballueshme nga përdoruesit me qëllim lehtësimin e komunikimit ndërmjet qytetarëve në vende të ndryshme të botës”, thekson Institucioni i Presidentit të Republikës.
Presidenti Meta dekretoi Ligjin nr. 47/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian Horizont Evropa – Programi Kuadër për Kërkimin dhe Inovacionin”.
“Mbështetja e Bashkimit Evropian për programe të posaçme, veçanërisht për kërkimin dhe inovacionin, ndihmon Shqipërinë për t’u afruar me standardet evropiane, forcimin e burimeve kërkimore, që padyshim ndihmojnë rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore e që kanë ndikim në forcimin e tregut të brendshëm, krijimin e lehtësive drejt qasjes në inovacion, nxitjen e kërkimit shkencor dhe bërjen e Shqipërisë pjesë e konkurrencës globale”, thuhet në njoftimin e Institucionit të Presidentit të Republikës.



