
Arrestimi dhe më pas lirimi i tre shtetasve të Serbisë të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në një dyqan të Prishtinës, ka habitur institucionet e Kosovës.
Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thanë në një konferencë për medie, se pas situatës së krijuar në Ukrainë, institucionet e sigurisë duhet të kenë bashkëpunim e jo injorim të situatës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se njëri nga tre serbët e arrestuar në Prishtinë ishte pjesë e Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se kishte kontakt me Rusinë.
Haxhiu cilësoi faktin se serbët që blenë uniforma ushtarake dhe emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund ta cenojnë sigurinë dhe t’i shtojnë tensionet në Kosovë.
Ministrja Haxhiu, veprimin e Prokurorisë për lirimin e këtyre shtetasve e ka konsideruar si të rrezikshëm për sigurinë e Kosovës. Ajo ka thënë se prokuroria pas gjithë këtyre informacioneve ka vepruar në mënyrë të çuditshme.
Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri prej personave të shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata e Rusisë, individë të strukturave të Agjencisë Serbe të Inteligjencës. Ka mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë, të përgatisin një aktivitet që të cenojë sigurinë dhe t’i shtonte tensionet në Kosovë. Këto veprime janë injorim i ndonjë aktiviteti që do të cenonte sigurinë.
Për kundër këtyre informacioneve prokuroria ka liruar fatkeqësisht në procedurë të rregullt personat, më duhet ta them që ky veprim i prokurorisë është i çuditshëm, i befasishëm, sikurse edhe për ne si qeveri por edhe për qytetarët, këto veprime janë injorim i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, deklaroi se Qeveria është e shqetësuar me zhvillimet në konfliktin në Ukrainë, derisa sipas tij, invasioni i synuar rus i tregon ambiciet e shteteve që s’kanë demokraci të konsoliduar.
Përndryshe, nga ekzaminimi i telefonit të njërit prej të arrestuarve është gjetur kontakti që kishte pasur me BIA-në serbe.
Policia e Kosovës të shtunën kishte arrestuar tre shtetas serbë, të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në njërin nga dyqanet e Prishtinës dhe ishin duke planifikuar blerjen e disa uniformave në një dyqan tjetër në Prishtinë.



