Këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorjan Teliti në një lidhje skype për MCN Live ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga kreu i SPAK Altin Dumani se bankat janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave.
Teliti tha se kjo është shumë e rëndë, teksa theksoi se për të pastruar paratë duhet të ndihmojë një sistem bankar. Sipas tij, duhet të hetohen bankat dhe nëse ka të përfshirë të bllokohen dhe dënohen përgjegjësit.

Në sistemin ekonomiko financiar ku ne jemi sot, ky lumë i madh parash të pista jashtë sistemit nuk përfshihen dot në sistem nëse nuk ke bashkëpunim me bankat. Nuk po them të gjitha bankat, nuk po vendos gisht te njëra prej tyre, por për të pastruar paratë në ekonomi padyshim që duhet të kesh një subjekt bankar ku mund ta bësh këtë.
Kjo është një skenë e ditur, e përhapur në Tiranë dhe jo vetëm. Ekzistenca e parave të pista e shuan shansin për të qenë të gjithë të barabartë. Deklarata e Dumanit ishte shumë domethënëse dhe shumë alarmante të thuash se kemi një pjesë të sistemit të bankar të përfshirë në pastrimin e parave është shumë e rëndë. Duhet të hetohen bankat, nëse ka të përfshirë të bllokohen dhe dënohen përgjegjësit.



