Ditën e sotme, që prej orës 08.30 do të nisë në Gjykatën e Posaçme rivlerësimi i masës së sigurimit personal dhënë për 8 të pandehurit e dosjes, ku janë të vënë në pranga edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Albule.
Bashkë me ta në gjykatë do të jenë edhe 5 biznesmenë shqiptarë, të cilët sipas dosjes, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprave penale nga ana e kreut të Bashkisë.
Po ashtu, në GJKKO do të paraqitet edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë në masë sigurimi paraprak “arrest shtëpie”.
Në lidhje me këtë grup që kanë bashkëpunuar në korrupsion dhe pastrim arash, mësohet se është vënë nën hetim dhe deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh kryetare e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të cilën është ngritur një akuzë e veçantë prej pjesës tjetër
Akuzat e SPAK
Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj 5 biznesmenëve.
Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Gjithashtu masë sigurie “arrest në burg” është caktuar ndaj një zyrtari, emri i të cilit ende nuk është publik.
SPAK njofton se nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.



