
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi.
Qëllimi i këtij memorandumi është përcaktimi i bashkërendimit të angazhimit të palëve në lidhje me termat dhe kushtet për të cilat bien dakord OSBE-ja dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
OSBE sipas kësaj marrëveshjeje do t’i kryejë veprimtaritë e përshkruara në nenet e memorandumit, në përputhje me rregulloret, rregullat dhe politikat në fuqi të OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë. Në varësi të dispozitave të këtij memorandumi, OSBE synon të kryejë një punë studimore, e cila konsiston në një analizë dhe shqyrtim të plotë të kuadrit ligjor aktualisht në fuqi, që rregullon dhe ndikon në bashkëpunimin e policisë gjyqësore dhe prokurorisë.
Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana e saj do të jetë mbështetëse dhe do të ndihmojë për mundësimin e një procesi të qetë përsa i përket grumbullimit të të dhënave që do të zhvillohet në terren, në formën e pyetësorëve dhe intervistave. Do të mundësojë akses në informacionin e saktë në lidhje me organizimin e personelit brenda institucionit, si numri total i prokurorëve, policisë gjyqësore, gjinia, mosha e tyre, etj.
Do të lehtësojë procesin e shpërndarjes dhe grumbullimit të pyetësorëve brenda institucionit, duke siguruar që ky proces të kuptohet brenda radhëve të prokurorëve dhe policisë gjyqësore. Do të të sigurojë akses në mjediset e saj për personelin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, të caktuar për të kryer analizën, si dhe të mundësojë një hapësirë të përshtatshme për ata që të ndërmarrin aktivitetet e tyre.



