Gjykata e Lartë ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë për Karçanajn, duke hequr arrestin shtëpiak dhe duke e lënë atë nën masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Vendimi është cilësuar si një zhvillim procedural, por që nuk ndryshon thelbin e akuzave ndaj saj. Avokati Kujtim Çakrani, për MCN Live, u shpreh se vendimi ishte i pritshëm, por theksoi se ai nuk duhet të interpretohet si shenjë e pafajësisë.
Padyshim që ishte një vendim i pritshëm, por nuk është fundi i drejtësisë. Zëvendësimi i masës së sigurisë nënkupton se ajo sërish ka dy masa shtrënguese: detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Fakti që është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak nuk do të thotë se është e pafajshme apo se do të shpallet e pafajshme.
Ai shtoi se akuzat ndaj saj mbeten të rënda dhe lidhen me një grup të strukturuar kriminal, duke theksuar se ato nuk janë rrëzuar.
Akuzat për të janë të rënda, siç janë akuzat e një grupi të strukturuar kriminal. Ato nuk kanë rënë. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë do të kishte vend për dyshim. Fakti i zëvendësimit të masës është vetëm një moment procedural dhe nuk ka ndryshuar asgjë në përballjen e saj me drejtësinë.
Sipas avokatit, vendimi i Gjykatës së Lartë mund të përbëjë një precedent, ndërsa ai e lidhi këtë edhe me një çështje tjetër që përfaqëson, atë të ish-kryeministrit Ilir Meta.
Unë kam bërë kërkesë para një jave për zëvendësimin e masës për Metën, pasi ai nuk ka akuzat që rëndojnë mbi Karçanajn dhe duhet të hetohej në gjendje të lirë. Vendimi për Karçanajn e shoh si një test për seancën e Metës të hënën. Nëse ai nuk lirohet, atëherë do të thotë që drejtësia në këtë vend është e dirigjuar nga kryeministri.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi uniformitetin e praktikës gjyqësore, duke theksuar se mbetet për t’u parë nëse vendimet e fundit do të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë qytetarët apo vetëm për individë të caktuar.
Duhet parë nëse kjo praktikë do të vijojë për të gjithë apo vetëm për disa persona. Nëse vendimet nuk reflektohen në mënyrë të barabartë, atëherë nuk janë në funksion të qytetarëve, por për të lehtësuar persona të lidhur me qeverinë.
Në fund, Çakrani bëri të ditur se ka kërkuar për klientin e tij masa më të buta sigurie, përfshirë arrestin shtëpiak, detyrimin për paraqitje dhe garanci pasurore.



