
Për aksionet e rëndësishme të policisë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka falenderuar publikisht forcat e rendit dhe i ka inkurajuar ata për të vijuar pa pushtim "punën e mirë".
Gjatë një postimi në rrjetin social "Facebook", Rama rendit operacionet e policisë dhe thotë se rezultatet janë inkurajuese kundër krimit të organizuar.
POSTIMI I PLOTE
Falenderoj dhe nxis Policinë e Shtetit për të vijuar papushim më tej punën e mirë
Rezultatet që po vijnë si shpërblim i një pune të palodhur, janë vërtet shumë inkurajuese.
Në pak ditë e deri në orët e fundit, Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses 5 operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar
1. Në Tiranë, u arrestuan në kohë rekord autori i dyshuar si ekzekutor dhe 3 bashkëpunëtorët e tij, në ngjarjen e ndodhur në 29 janar, ku mbeti i vdekur një person.
2. Në Shkodër, u zbardh ngjarja tronditëse e datës 13 janar, ku të plagosur nga një shpërthim i telekomanduar mbeten 8 persona, përfshirë këtu edhe objektivin e sulmit. U arrestuan 2 autorët e dyshuar.
3. Në Elbasan, u godit një grup i strukturuar kriminal, me 5 persona të arrestuar dhe 1 në kërkim; u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse, armë, para dhe kanabis.
4. Në Fier, u zbardh vjedhja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e 4 Exchange-ve, ndodhur ditët e fundit. U arrestua autori i dyshuar.
5. Në Lezhë, u sekuestruan 1.4 milion euro pasuri me burim të dyshuar kriminal, në një operacion të finalizuar një ditë më parë.
#PoliciaqëDuam për #Shqipërinëqëduam
Edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ka reaguar pas operacionit për arrestimin e personave të dyshuar për shpërthimin me tritol në Shkodër. Në dy postime të në rrjetin social "Twitter", Xhafaj përgëzon policinë të cilët kanë zhvilluar dy operacione te suksesshme. Ministri falenderoi edhe prokurorinë e këtij qyteti për bashkëpunimin me policinë.
"Vlerësimet më të mira për drejtuesit&oficerët e Policisë kriminale të Drejtorisë Shkodër që në pak javë zhvilluan 2 operacione të shkëlqyera.Përgëzime për angazhimin profesional Forcave Operacionale&RENEA.Falënderim i sinqertë për frymën bashkëpunuese Prokurorisë së këtij qyteti", tha ministri i Brendshëm.
Më herët, Xhafaj tha se opercioni forca e ligjit do të vazhdojë të godasë e fortë krimin e organizuar.
"Sërish një superaksion policor në Shkodër. Tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar. Në pak javë, pas një pune intensive dhe profesionale u bë e mundur zbulimi dhe ndalimi i autorëve të shpërthimit me eksploziv të para ca javëve në Shkodër. Forca e Ligjit do vazhdojë të godasë fort!", shkruan Xhafaj.



