Deputeti socialist Taulant Balla, ishte sot në takimin e prezantimit të kandidatëve për deputetë të zonës së Belshit, Musa Ulqini dhe Klodiana Zdrava.
Përpara qindra banorëve të Belshit, të cilët ishin mbledhur në sheshin e rikualifikuar nga projekti i Rilindjes Urbane, Balla i njohu ato me reformat e ndërmarra nga qeveria këto katër vite, si dhe me sfidat dhe projektet për mandatin e dytë qeverisës. Në fjalën e tij në këtë takim, Balla u shpreh se në këtë fushatë zgjedhore ne do të shkojmë në çdo lagje dhe në çdo fshat të bashkisë Belsh, për t’u thënë se ne ende nuk jemi të kënaqur me punën e bërë deri më tani në Belsh, sa kohë që të kemi filluar punën për furnizimin 24 orë me ujë në çdo familje.
Në vijim deputeti Balla nënvizoi faktin se PS e ka kontratën me popullin dhe nuk e ka as me PD-në dhe as me ndonjë parti tjetër. Më tej, Balla nënvizoi faktin se më shumë duhej të ishte bërë, duke pasur parasysh se ku e gjetëm Shqipërinë në 2013 dhe ku është sot në 2017; ku ishte Belshi atëherë dhe ku është sot. Megjithatë, në një këndvështrim të shkurtër, janë plot gjëra të rëndësishme që janë arritur me votën që populli i Belshit i dha Partisë Socialiste.
Duke u ndalur tek bojkoti i zgjedhjeve nga PD, deputeti Balla theksoi se arsyeja pse PD bojkotoi parlamentin dhe tani po bojkoton zgjedhjet nuk ka të bëjë fare me atë që dëgjohet përditë nga çadra. Atë e kanë për mbulim. “Ata kanë dy arsye shumë të forta - për ata, jo për shqiptarët - pse nuk hyjnë në zgjedhje.
Arsyeja e parë është frika nga humbja. Luli e di që Saliu do ta përzërë për në Holandë po të hynte dhe të humbte zgjedhjet, kështu që tha ‘më mirë s’po hyj fare’. E dyta është frika nga Vettingu. Dhe këtu nuk është më shumë frika e Lulit sesa e Saliut, ose e të dyve bashkë. Të dy kanë shumë frikë nga Vettingu, sepse do të bëjë të mundur pastrimin e sistemit të drejtësisë nga ata gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të emëruar politikisht nga ata që drejtuan vendin 8 vite me radhë nga 2005 deri në 2013”, u shpreh Balla.



