
Tre liderët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në një ceremoni zyrtare, nënshkrimin e dokumentit të aplikimit, e kanë bërë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar sot aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Osmani, pas nënshkrimit ka thënë se kjo ditë është e veçantë për dy arsyeje.
Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë, të dyja këto akte që shkojnë në drejtim të realizimit euroatlantik.
Së bashku me kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e kuvendit po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit sonë të ëndrrës kolektive e ambicies të patjetërsueshme.
Sipas Osmanit, ky veprim Kosovën e afron afër Bashkimit Evropian.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se ky është një moment historik për Kosovën.
Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë.
Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Për Kosovën dhe të gjithë rajonin anëtarësimi në këtë union është i rëndësisë së veçantë sepse Bashkimi Evropian ofron stabilitet, demokraci, siguri, prosperitet zhvillimore.
Kur respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, janë në thelbin e saj, një union i cili më të vërtetë e stimulon rritjen ekonomike të popujve dhe mirëqenien e tyre ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës si dhe e mbështet rritjen ekonomike.
Kosova muaj më parë ka aplikuar për tu bërë pjesë edhe e Këshillit të Evropës.



