Endri Meksi, Drejtor i Përgjithshëm i MCN TV, ka komentuar në ‘MCN Live’ lajmin për heqjen e non gratës të Sali Berishës, duke e cilësuar atë si një faktor pa ndikim real në dinamikën politike në Shqipëri.
Në analizën e tij, Meksi theksoi se çdo efekt i mundshëm i këtij vendimi do të ishte i dukshëm vetëm në skenarë të veçantë politikë, si zgjedhje të parakohshme, ndërsa në praktikë, sipas tij, Berisha ka vijuar të jetë aktiv pa pengesa.
Ai u shpreh se edhe vetë diskursi mediatik ka pranuar ndryshime lidhur me kufizimet e hyrjes në SHBA, por kjo nuk ka prodhuar pasoja konkrete në politikën e brendshme.
Ndonjë rëndësi praktike mund të kishte vetëm në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, edhe media pranë PD-së, ‘Syri’, thotë se i është hequr kufizimi i hyrjes në SHBA. Pra, nuk shoh asnjë efekt praktik në politikë. Ai ka qenë aktiv në politikë dhe nuk kemi parë askund që ‘non grata’ ta ketë penguar në këtë proces. Madje, ai ka mposhtur Lulzim Bashën, ka marrë vulën dhe statusin e ‘Rilindjes Demokratike’.
I vetmi perceptim i dëmtimit nga ‘non grata’ ka qenë ndonjë udhëtim i kufizuar në SHBA, përveç zgjedhjeve të vitit 2025, ku u perceptua se Berisha kishte një njollë. Çdo zgjedhje ka dinamikën e vet, por nuk shoh asnjë efekt praktik, pasi në çdo kohë ai ka qenë aktiv në Parlament, në media dhe në debatet politike. Çfarë kufizimi real ka pasur Berisha?
Në Europë kemi parë liderë me probleme konstante dhe nuk shoh që këto përplasje të kenë ndryshuar mënyrën se si drejtojnë vendet e tyre. Do ta gjykoja më shumë si çështje zhurme mediatike sesa si impakt konkret. Është më shumë një çështje perceptimi sesa një ndalim real. Është luajtur më shumë me imazhin. Nëse ka pasur ndikim ligjor, do të thosha zero.



