
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për numërimin e 4639 votave të diasporës që kanë arritur pas afatit të parashikuar. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se pa u mbyllur kjo çështje nuk mund të dalin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Ditë më parë Gjykata Supreme vendosi që të rishikohet vendimi i PZAP lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje. PZAP vendosi të refuzojë si të pabazuar në prova dhe rregulloren e KQZ-së ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e fletëvotimeve të diasporës të ardhura me vonesë.
Sipas PZAP-së nuk është refuzuar kërkesa e Gjykatës Supreme, por ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, subjekt i cili sipas ligjit ka mundësi brenda 24 orëve të ankohet lidhur me vendimin, ndërsa Gjykata Supreme ka në dispozicion 72 orë për të shqyrtuar ankesën.
Ndërsa, në Komisionin Qendror Zgjedhor lidhur me vendimin e PZAP, thonë se do presin afatin ligjor para se të vazhdohet më tej. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shpallë rezultatet përfundimtare pa u përmbyllur kjo çështje.
Lëvizja Vetëvendosje do të dërgojë në Gjykatën Supreme, apelin për vendimin e mosnumërimit të votave të diasporës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi ky panel në mënyrë artificiale, sipas LVV, u mohoi të drejtën për numërim të votës qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas LVV “bashkatdhetarët tanë nuk ia kanë borxh askujt këtë cenim të së drejtës së tyre bazike që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat ndërkombëtare në këtë sferë”.
Ndërkohë me vendim të KQZ në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve janë rinumëruar mbi 850 vendvotime.



