Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani duke folur në emisionin “Arnautistan” mbi zgjedhjet, theksoi se numri i atyre që nuk përfaqësohen nga partitë politike po bëhet gjithnjë e më i madh.
Shabani tha se sfida e Nismës Thurje është që të njihet më shumë, pasi 60 për qind e njerëzve ende nuk e njohin këtë subjekt politik.
Isha më optimist, por për herë të parë një grupim i ri futet në institucione. Arritëm të fusim 5 këshilltarë në këshillat bashkiak. Formula ka qenë e llogaritur që në fillim që të favorizojë partitë e mëdha. Grupet e interesit, taksistët, mësuesit duhet të kishin përfaqësuesit e tyre në këshill. Është shumë e nevojshme të ketë një këshill ku ka debat. I shërben edhe kryetarit të bashkisë, e mban në shina, edhe atyre që e kanë votuar kryetarin e bashkisë. Fatkeqësisht ajo që ndodhi kësaj radhe në Shqipëri është që shumë njerëz nuk votuan, dhe dëmtohen forcat e reja, opozita, sepse pushteti i ka mekanizmat që t’i çojë njerëzit të votojnë. Ata që s’kanë shkuar të votojnë kanë qenë kundër Berishës dhe Metës, siç ka një firo edhe nga PS, 30 mijë në Tiranë. Sfida jonë është që të na njohin, ende kemi 60 për qind të njerëzve që s’na njohin. Shumica e mediave gjatë fushatës na i mbyllën derën, u detyruam të dilnim me tellall. Sa fillon fushata mbyllen të gjitha emisionet. Shikuesi duhet të informohet kush garon në zgjedhje. Ende ka një pjesë të madhe të këtyre që nuk votojnë dhe nuk e dinë që ne ekzistojmë, që jemi. TV vazhdon të jetë i rëndësishëm për një pjesë të njerëzve. Televizioni u jep një lloj legjitimimi ofertave politike. Kurse rrjetet sociale duke qenë më demokratike, nuk merr legjitimimin e nevojshëm. Ne jemi dyfishuar kudo ku kemi garuar. Do të thotë që këtu ka një potencial për t’u rritur”.



